Këshilli i Qarkut Korçë nderon patriotët



Këshilli i Qarkut Korçë jep medaljen :
" Nderi i Qarkut " & " 100 Vjet Krahinë Autonome" patriotëve, të cilët në 10 Dhjetor 1916 shpallën Korçën Krahinë Autonome.

Në kuadër të kësaj dite Kryetaria e Këshillit të Qarkut Korçë përcjell fjalën e hapjes së ceremonisë zyrtare:

I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar zoti zv.kryeministër,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
I nderuar Kryetari i Bashkisë,
I nderuar Prefekt i Qarkut Korçë,
Të nderuar pasardhës të atdhetarëve
Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni solemne,
Ndjehem e nderuar dhe krenare që po hap ceremoninë zyrtare të festimeve për 100-vjetorin e Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës, pikërisht në këtë vend, te  ky bulevard, ku 100 vjet më parë, të mbledhur po kështu, siç jemi mbledhur edhe ne sot, patrioti i njohur Themistokli Gërmenji, do tËu drejtohej pjesëmarrësve për tËu dhënë lajmin e gëzuar të shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës.
Ndonëse në rrethana dhe kushte të tjera historike, shpallja e Krahinës Autonome vlerësohet si ngjarja e dytë më e madhe pas Shpalljes së Pavarësisë, më 1912, por e para për nga vlera politike dhe juridike.
Sipas protokollit të deklaratës së "vetëqeverisjes", Korça, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora do të formonin një krahinë "autonome" që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Gjuha dhe flamuri i kësaj krahine do të ishte gjuha shqipe dhe flamuri shqiptar.
    Vlerat politike dhe juridike të kësaj ngjarjeje lidhen me rrethanat historike dhe kushtet në të cilat ndodhej shteti i porsaformuar shqiptar.
             Pavarësia krijoi ligjërisht dhe juridikisht shtetin shqiptar, kurse deklarata e 10 dhjetorit 1916 dha shembullin e parë të një "vetëqeverisjeje" nga shqiptarët dhe për shqiptarët.
Vlera e këtij akti shkon përkdundër mendimit të krijuar dhe të mbështetur nga shtetet fqinje të Shqipërisë, se shqiptarët nuk janë të aftë të qeverisin vetë, pra të kenë shtetin e tyre. Krahina autonome dëshmoi mundësinë e vetëqeverisjes, duke zgjedhur për model parimet dhe vlerat e qytetërimit më të përparuar të kohës, atij francez.
    Përveç se një ngjarje historike dhe politike, deklarata e autonomisë shënjoi edhe vlerën në aspektin kulturor dhe arsimor. Ndër nismat e para të kësaj krahine, ishte hapja e shkollave fillore në gjuhën shqipe, duke mbyllur ato në gjuhën greke dhe duke i dhënë një hov të ri arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe.
          Nuk është rastësi që pikërisht në këtë rrugë, tashmë një rrugë këmbësore dhe e shndërruar në një muze të gjallë të qytetit, të ndodhet edhe një ndërtesë, ajo e shkollës së parë në gjuhën shqipe. Ky përkim, aspak i rastësishëm, tregon vlerën dhe rëndësinë që patriotët shqiptarë, drejtuesit dhe udhëheqësit e Krahinës Autonome të Korçës, i kushtonin edukimit dhe shkollës.
    Ndikimi i këtyre vendimeve ndihet edhe sot në traditën arsimdashëse të qytetarisë korçare. Ende në traditën arsimore të zonës së Korçës, mbetet i pazëvendësueshëm Liceu francez dhe kultura që ai përcolli në vite.
         Me krenari ne do të festojmë vitin e ardhshëm, krijimin e këtij liceu dhe trashëgiminë e tij të vyer përmes seksionit dygjuhësh pranë gjimnazit "Raqi Qirinxhi".
    Pavarësisht ekzistencës së shkurtër në kohë të kësaj krahine, roli dhe ndikimi i saj ka edhe sot një peshë dhe rëndësi të madhe. Vendimet e drejtuesve të saj shprehin qartë karakterin patriotik të programit dhe qëllimit të kësaj krahine, edhe simbolikisht flamuri i përdorur prej saj ishte ai shqiptar, gjë që tregon qartë se krahina autonome e Korçës, nuk ishte një ndasi apo një nismë separatiste, por një fillesë për një vetëqeverisje shqiptare.
    Me rëndësi të madhe dhe pa dyshim jo më pak se vlera politike dhe juridike e saj, vlerësohet edhe karakteri kombëtar i shenjuar përmes rëndësisë që i kushtoi gjuhës shqipe dhe veçanërisht i shkollës në gjuhën shqipe.
         Por vlera më e rëndësishme dhe padyshim ajo që mbetet si një fakt i pamohueshëm historik, ka të bëjë me krijimin e një tradite vetëqeverisjeje shqiptare. Edhe pse nën mbikëqyrjen franceze, zgjedhje kjo aspak e rastësishme, krahina autonome tregoi përfundimisht drejtimin nga do të orientohej gjithë shoqëria shqiptare e kohës, por edhe më tej. Larg otomanizmit dhe orientalizmit mesjetar, shoqëria shqiptare do të duhet të zgjidhte parimet dhe drejtimin oksidental, perëndimor.
Ky drejtim, ky orientim dhe përhapja e kësaj kulture civilizuese do të jetë ndoshta edhe ndikimi më i madh i kësaj vepre historike dhe politike. Kjo shprehet shumë qartë dhe është simbolizuar mjaft bukur në shprehjen tashmë shumë të njohur dhe të dëgjuar shpesh, kur flitet për Korçën, si një "Paris i vogël".
Në këtë 100- vjetor, ne ndihemi të vlerësuar dhe krenarë që po përkujtojmë këtë ngjarje historike pikërisht Korçë, por që ka përmasa dhe vlera mbarëkombëtare.
Ju faleminderit!