Mirësevini në Vithkuq

Vithkuq



Nëse doni të largoheni nga zhurmat e qytetit dhe kërkoni prehjen, do të ndiheni mirë vetëm në Vithkuq.
Si të ndodheshit në një realitet tjetër, ky fshat malor do të shpaloset para jush me natyrën e virgjër, historitë, legjendat e gojëdhënat mjaft interesante.

1. Pozita gjeografike
Vendndodhja: në jugperëndim të qytetit të Korçës (26 km)
Klima: malore (e ftohtë në dimër, e freskët në verë), mjaft e shëndetshme
Popullsia: 965 banorë (230 familje)
Sipërfaqja e zones: 195 km2
Lartësia mesatare: 1230m
Pika më e lartë: Rrungaja 1750m
Relievi: i përthyer dhe i shumëllojshëm

Në këtë fshat do të gjeni kodra, male, lugina, pyje, kullota, lumenj, përrenj dhe burime, të ndërthurura me njëra-tjetrën.
Vithkuqi rrethohet nga male dhe kodra tërësisht të veshura me drurë dhe shkurre. Këtu është burimi i lumit Osum, i cili përshkon gjithë relievin dhe formon kështu një basen që përmbledh të gjitha ujërat e burimeve të shumtë në këtë vend.
Pranë fshatit ndodhet liqeni artificial i Gjançit, ku ka lloje të ndryshme peshku. Vend të veçantë zenë kafshët e egra: ariu, ujku, dhelpra, drenusha, lepuri, macja e egër, etj; shpendët e egra dhe pyjet me ah, lis, pishë, etj.
Në pyjet e zonës rriten shumë bimë medicinale si: Dëllinja, Trëndafili i egër, Çaji i malit, Lule Bliri, Zhumblica, Mëllaga, Lule Basani, Lule Shtogu etj.
Klima është vërtet malore, por falë pozicionit gjeografik nuk është shumë e ashpër. Ajo jo vetëm të çlodh në çdo stinë, por ka edhe vlera kurative.
Vithkuqi është gjithashtu edhe një thesar historik. Aty ka shumë momente, ngjarje dhe figura historike që i kalojnë përmasat e një fshati apo qyteti.
Sot Vithkuqi përbëhet nga tre lagje, nga më të vjetrat e tij: Grekasi, Saraqi, Dukasi. Ka dhe një shkollë të mesme të përgjithshme, e cila mban emrin e vithkuqarit të shquar Naum Veqilharxhi.
Këtu do të gjeni plot mjedise natyrore çlodhëse shumë të këndshme, por dhe mjaft ambjente të tjera: bare, restorante, hotel, shtëpi pushimi, në të cilat mund të kalohen pushime të paharrueshme në verë dhe në dimër.
Mikpritja, bujaria dhe ngrohtësia janë atmosfera që krijojnë vithkuqarët për mysafirët.

2. Pak histori
Vitkuqi është një vendbanim i lashtë ilir. Ndonëse pak i eksploruar ai daton si qendër e banuar nga periudha e parë e hekurit deri në shek II-të p.e.s. Dëshmi për këtë janë kalatë që janë vendosur për të ruajtur trevën, si ajo e Boshanjit, Bellovodës dhe e Leshnjës, si dhe tumat në lagjet e vjetra të Vithkuqit: Qyran dhe Qyrshas.
Në dokumenta përmendet si vendbanim në Principatën e Muzakajve, qysh në shek 15, por dokumenti më i rëndësishëm është që Vithkuqi ka qenë vendbanim qysh në shek XII-të, sepse në këtë kohë është ndërtuar dhe e para kishë në Vithkuq, ajo e Shën Thanasit, e cila daton në 1162-in.
Në regjimin osman Vithkuqi është regjistruar si pronësi myrk dhe më vonë vakëf i Mirahor Iljaz Beut (1484-1504). Regjistrimi i parë kadastral i 1568-70, jep të dhëna se Vithkuqi ka patur popullsinë më të dendur dhe janë të regjistruara 343 familje të krishtera.
Në shek 17-18 njihet si qytet i zhvilluar dhe në kulmin e lulëzimit të tij, ka patur 24 lagje me një popullsi që luhatet nga 12000 - 15000 banorë. Përveç kishës së parë (shën Thanasit) aty janë edhe 17 kisha të tjera, 3 manastire dhe një qendër Mitropolie. Ka ekzistuar një shkollë sipas të dhënave e barazvlefshme me atë të Voskopojës.
Në 1781 - 1819 -1823 qyteti i Vithkuqit pësoi tre prishje të mëdha të cilat e katandisën atë në një fshat të vogël me vetëm 13 familje.
Rreth 1856-ës Vithkuqi e mori veten dhe u shfaq si një fshat me 150 shtëpi dhe me tre lagjet e sotme.
Popullsia e Vithkuqit migroi e gjitha brenda dhe jashtë vendit duke formuar dhe fshatra të shumtë me popullsi krejt vithkuqare (Mandrica në Bullgari, Lehova në Greqi, etj)

3. Zakone dhe tradita
Vithkuqarët janë njerëz të dashur, të sjellshëm, me kulturë të trashëguar, por edhe të importuar nga Evropa sidomos nga Amerika. Në familjet vithkuqare jetohet shumë mirë, sepse ambjenti familjar është i ngrohtë, i pastër, i rregulluar bukur dhe gatuhet shumë mirë.
Veshja karakteristike e burrave dhe e grave ka qenë shumë e bukur.
Gratë vithkuqare punojnë shumë bukur e me finesë leshin, i cili përveç veshjeve shërben për të bërë qilima, levenca, etj...
Festa tradicionale
Organizohen shumë bukur festat familjare dhe ato tradicionale që kanë më shumë karakter fetar si psh: Panairi i Shën Pjetrit  në 29 qershor
Shën Nikodhimi, që është dhe festa e shoqatës "Vëllazëria Vithkuqare" në 10 korrik.
Gatime karakteristike
Është kënaqësi të kesh në tavolinë mishin e pjekur të Vithkuqit dhe bulmetin, që kanë shije të veçantë dhe që shkojnë shumë mirë të shoqëruara me pijen karakteristike, rakinë e kumbullës. Në këto raste është shumë mirë të dëgjosh këngën popullore vithkuqare që është ruajtur nga ndikimet e huaja, ose të shikosh djemtë dhe vajzat e Vithkuqit duke kërcyer vallen e Dados, e cila kërcehet vetëm në Vithkuq. Të gjithë kemi provuar ose kemi dëgjuar të thërresin në pazar: "arra, çaj Vithkuqi",- që janë me nam në të gjithë trevën e Korçës.

4. Monumentet kulturore-historike të Vithkuqit
Monumentet kryesore të fshatit janë kishat. Kisha e parë u ndërtua në Vithkuq në 1162, bëhet fjalë për atë të Shën Thanasit. Pas kësaj u ndërtuan edhe shumë kisha të tjera (18 kisha). Të gjitha kanë vlerat e tyre, por më madhështoret janë: Manastiri i Shën Pjetrit, Manastiri i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Millit.
Nga këto kisha janë sot të mirëmbajtura, ose të ringritura që nga themelet 8 kisha: Shën Pjetri, Kozma Damianov ose Qimitiri, Shën Kostandini, Vangjelizmoi, Shën Milli, Shën Gjergji, Shën Dëllia, Shën Mëria. E ngritur si kishë e re: Shën Nikodhimi.
Një rëndësi të veçantë si vepër monumentale, historike dhe fetare, paraqet kisha e Shën Pjetrit, e cila u ndërtua në shek 18, rreth 1764-1773, e cila përbëhet nga afreske të mrekullueshme me rreth 2000 piktura, e punuar e gjitha me kontributin e vetë vithkuqarëve dhe e ndërtuar nga mjeshtërit vithkuqarë që kishin punuar në Venecia si Dhima Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Vaso Sumbulla, Kule Deti, etjË Projektuesi i kishës ishte vithkuqari Than Lena bashkë me të birin e tij Gjikë Lena. Duhet përmendur që në këtë manastir ka ekzistuar një bibliotekë e famshme në të cilën ruheshin libra që ishin shtypur në Shtypshkronjën e Voskopojës, midis tyre dhe "Traktati logjik i Kavaliotit". Në krah të Shën Pjetrit është një kishë e një natyre të veçantë, ajo e Kozma Damianoit, në të cilën ruheshin eshtrat e të vdekurve. Po ashtu për t'u përmendur është kisha e Shën Millit të Vithkuqit, që veç një bukurie të rrallë, ruan në brendësi thesare të afreskut pikturuar nga Zografët dhe Shpatarakët, të cilët kanë pikturuar dhe shumicën e kishave.
Monumentet e rëndësishme në Vithkuq janë edhe urat, të cilat ishin me shumicë në të gjitha rrugët e Vithkuqit, por më të veçantat janë: ura e Liasit (e lagjes Lias), që është shkatërruar dhe ura në hyrje të Vithkuqit, ajo e Zotos.
Në Vithkuq ka shumë çezma, disa prej tyre të ndërtuara me një mjeshtëri të rrallë, si psh ajo e Nasto Kroit, e Miçuçit, e Kurtiqit, e Arrës së Thatë etjË
Vithkuqi përmendet dhe për monumente natyre si: Bliri i Shën Pjetrit dhe plepi i Shën Millit.

Kuriozitete
  • Shkolla e parë shqipe është hapur në Vithkuq në ato që quheshin "shkolla qeli" dhe mësimet zhvilloheshin në kishat dhe manastiret e Vithkuqit.
  • Në 14 nëntor 1910, nga vithkuqarët e Amerikës u formua në Southbrige shoqata vithkuqare me emrin "Bashkimi i Vëllazërisë".
  • Është ndriçuar me dritë elektrike në 1936, vit në të cilin u ndërtua në Vithkuq dhe hidrocentrali i parë në Shqipëri.
  • Vithkuqi ka mbështetur tërësisht luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe si rrjedhojë u dogj krejtësisht nga fashistët.
  • Varri i Pagëzimit e ka marrë këtë emër nga historia e trishtueshme e familjes që vdiq  në të njëjtën kohë dhe u varros në të njëjtin varr. Gojëdhëna tregon sesi nëna, ndonëse ishte një i ftohtë i madh kërkonte kishë më kishë të pagëzonte fëmijën e sapolindur, por që s'i rrezistoi dot kohës së keqe dhe shkaktoi gjëmën e gjithë familjes.
Figura të shquara vithkuqare
Figurat e shquara me prejardhje vithkuqare janë të shumta.
Këtu lindi një nga figurat më të nderuara të kombit shqiptar, ai që u bë dhe nxitësi i epokës së Rilindjes sonë Kombëtare: Naum Bredhi (Veqilharxhi), hartuesi i Abetares së Parë Shqipe dhe Enqiklikës që ishte dhe manifesti i Rilindjes.  Spiro Dine. Një nga folkloristët më të shquar të kombit. U dallua me librin "Valët e detit".
Mësues të shquar për kontributin e tyre: Sava Jeromonaku, Evstrat Vithkuqari (Jani Strati), Kostandin Cepi,
Figura të shquara të artit dhe kulturës: Vangjush Mio, Shën Nikodhimi (simbol i martirizimit për të ruajtur fenë ortodokse), Mihal Ciko, etj...
Figura të tjera vithkuqare që kanë bërë vepra bamirësie: Thanas Rimara, Thoma dhe Gjergji Adhami (Bardhushi), Dhimitri Ikonomi, Aleks Çikozi, Koli Nikolla dhe më i shquari ndër ta Thoma Turtulli.