101 VJETORI I SHPALLJES SË KRAHINËS AUTONOME TË KORÇËS



Këshilli i Qarkut Korçë organizoi sot ceremoninë përkujtimore të 101 vjetorit të "Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës". Ceremonia filloi me homazhe përpara monumentit të Themistokli Gërmenjit dhe më pas vazhdoi në ambientet e Shtëpisë së Flamurit. Fjala e hapjes kushtuar kësaj date u mbajt nga kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë znj.Ana Verushi: " Të nderuar deputetë ,
I nderuar kryetar i Bashkisë Korçë,
E nderuar znj.Ambasadore e Francës,
Të nderuar pasardhës të atdhetarëve,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni përkujtimore,
E nderuar që hap ceremoninë përkujtimore të festimeve për 101 vjetorin e Shaplljes së Krahinës Autonome të Korçës, pikërisht në këtë vend, te kjo ndërtesë, ku 101 vjet me parë, të mbledhur po kështu, siç jemi mbledhur edhe ne sot,  patrioti Themistokli Gërmenji, do tËju drejtohej pjesëmarrësve për tËu dhënë lajmin e gëzuar të Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës.
Ndonëse në rrethana dhe kushte të tjera historike, Shpallja e Krahinës Autonome vlerësohet si ngjarja e dytë më e madhe pas Shpalljes së Pavarësisë, më 1912.
Pavarësia në 1912 krijoi ligjërisht dhe juridikisht shtetin shqiptar, deklarata e 10 dhjetorit 1916 dha shembullin e parë të një vetëqeverisje nga shqiptarët për shqiptarët.
Krahina autonome dëshmoi mundësinë e vetëqeverisjes, duke zgjedhur për model parimet dhe vlerat e qytetërimit më të përparuar të kohës, atij francez.
Përveç se një ngjarje historike dhe politike, deklarata e autonomisë shënoi edhe vlerën në aspektin kulturor dhe arsimor. Ndër nismat e para të kësaj krahine, ishte hapja e shkollave fillore në gjuhën shqipe duke i dhënë një hov të ri arsimit dhe edukimit në gjuhën shqipe. Nuk është rastësi që pikërisht në këtë rrugë, tashmë një rrugë këmbësore dhe e shndërruar në muze të gjallë të qytetit, të ndodhet edhe një ndërtesë, ajo e Shkollës së Parë Shqipe. Ky përkim aspak i rastësishëm, tregon vlerën dhe rëndësinë që patriotët shqiptarë, drejtuesit dhe udhëheqësit e Krahinës Autonome të Korçës, i kushtonin edukimit dhe shkollës.
Ndikimi ndihet edhe sot në traditën arsimdashëse të qytetarisë korçare. Ende në traditën arsimore të zonës së Korçës, mbetet i pazëvëndësueshëm Lice Francez dhe kultura që ai përcolli ndër vite. Me krenari ne festuam 100 vjetorin e krijimit të këtij liceu dhe trashëgiminë e tij të vyer përmes seksionit dy gjuhësh pranë gjimnazit "Raqi Qirinxhi".
Edhe në këtë 101 vjetor dhe të tjera që do pasojnë, ne ndihemi të vlerësuar dhe krenarë që përkujtojmë këtë ngjarje historike pikërisht në Korçë, por që ka përmasa dhe vlera ndërkombëtare.
Ju faleminderit!"


 



Ambasadorja e Francës Znj.Christine Vasak, kryetari i Bashkisë Korçë Z.Sotiraq Filo si dhe historiani Z.Niko Kotherja përcollën për të ftuarit fjalën përshëndetëse të rastit.
Në vazhdim pjesëmarrësit vizituan ekspozitën në ambientet e  Shtëpisë së Flamurit.