GËZUAR 29 NËNTORIN!
Fjala përshëndetëse e Kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë znj.Ana Verushi me rastin e festës së 29 nëntorit, ditës së çlirmit të atdheut :
" Të nderuar veteranë!
Të nderuar pjesëmarrës të familjeve të dëshmoreve!
Të nderuar deputetë!
Të nderuar përfaqësues të pushtetit qëndror e vendor!
Të nderuar të ftuar!
Është në nderin tim, që të përshëndes sot në emër të Këshillit të Qarkut Korçë, në ditën e festimit të 73 vjetorit të çlirmit të atdheut, të kësaj date të madhe historike që simbolizon luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
Festimi i 73 vjetorit të atdheut është një ngjarje e bukur për secilin nga ne, për çdo shqiptar kudo ku ndodhet, ndaj sot kam nderin dhe privilegjin të ndaj me Ju këto çaste gëzimi që na rritin më shumë respektin dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e çmuar të dëshmorëve, që e bënë Shqipërinë një vend të lirë, që na falën ne shqiptarëve dinjitetin kombëtar dhe krenarinë për të qënë shqiptar.
Ne jemi krenarë dhe mburrem me përpjekjet e mëdha dhe të përgjakshme që realizuan partizanët e Ushtrisë Nacional- Çlirimtare dhe vijuan pa ndërprerje luftimet deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë .
Lufta e Shqiptarëve pati karakter antifashtist e nacional-çlirimtar. Ajo u bë masive nga idealet e larta të lirisë që frymëzuan me qindra e mijëra djem dhe vajza, burra dhe gra.
Detyra jonë sot, në këtë ditë të shënuar historike është të nderojmë të rrënët, ata që në lulen e moshës dhanë jetën e tyre në altarin e lirisë së kombit.
Liria e fituar më 29 nëntor të vitit 1944 nuk ishte një rastësi, por ishte një aksion i madh historik dhe vendimtar i ndërgjegjes kombëtare.
Kjo luftë nuk mund të kryhej pa pjesëmarrjen e gjërë të popullit shqiptar, në gjirin e të cilit gjendeshin rrënjët ushqyese të kësaj lëvizjeje të madhe përparimtare dhe emancipuese.
Qarku i Korçës ka dhënë një kontribut të madh në luftën Nacional-Çlirimtare dhe ne kemi të drejtë të krenohemi me aktet heroike dhe gjakun e derdhur të djemëve dhe të vajzave të tij si: Koci Bako, Fuat Babani, Floresha Myteveli, Midhi Kostani, Kiço Greço etj.
Lufta Nacional-Çlirimtare ishte një luftë e realizimit të ëndërrave të mëdha të mbarrë shqiptarëve, ishte një luftë e legjendave trimërore, të cilat frymëzoheshin dhe inspiroheshin nga kujtimet e prijësve luftëtarë që përdorën trimërisht pushkën kundër pushtuesve.
Ne jemi krenarë dhe mburremi me përpjekjet e mëdha dhe të përgjakshme që realizuan partizanët e ushtrisë Nacional-Çlirimtare dhe vijuan pa ndërprerje luftimet deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë duke e rradhitur atë përkrah koalicionit antifashist.
Në këtë datë të shënuar me lejoni edhe njëherë të shpreh mirënjohjen e paharrueshme të luftëtarëve, të formacioneve partizane si dhe të gjithë popullit të Qarkut të Korçës që dhanë jetën dhe gjithçka në shërbim të Luftës Antifashiste- Nacional-Çlirimtare.
Ne sot jo vetëm përkujtojmë me respekt figurat e shquara të Luftës, simbolet e mënçurisë dhe trimërisë së tyre, por edhe tËju transmetojmë brezave të rinj pavdekësinë e veprës të tyre, për përpjekjet që kanë bërë për liri, pavarësi, demokraci dhe mirëqënie.
Ne sot jemi në procesin reformues të shoqërisë sonë, të forcimit të shtetit të së drejtës, të ndërtimit të sistemeve në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të rritjes të mirëqënies të shqiptarëve, por të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi për të arritur së bashku sukseset, frutet e së cilës do tËi gëzojmë po së bashku.
29 nëntori, dita e nderimit për ata që shkruan një faqe të lavdishme në historinë tonë duhet të jetë një ditë reflektimi për sfidat që këmi përpara, të gjithë së bashku, në emër së ardhmes për fëmijët tanë.
Dhe mesazhi që ne japim është:
"Të ecim përpara në rrugën e reformave me një dashuri të shumëfishtë për vendin dhe kombin me përkushtin të veçantë, paqen dhe qytetërimin"
Lavdi veprës të ndritur të dëshmorëve të Luftës!
Jetë të gjatë, veteranë të nderuar! "