CEREMONIA E FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK 2017-2018



 Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë Znj.Ana Verushi uron:   "Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, dëshiroj të shpreh urimin tim personal, por edhe me detyrën e Kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë, për këtë institucion,  i cili përfaqëson kultin e dijes dhe tempullin e mendimit intelektual sot.Ndonëse jemi ende në hapat e para, pasi 46 vjet janë shumë pak në jetën e një Universiteti, nëse këtë e krahasojmë me moshën relative të universiteteve në botë, përsëri duhet thënë se vendi dhe roli i tij në jeten shoqërore të rajonit të Korçës dhe më gjerë ka një rëndësi shumë të madhe.
Qysh prej krijimit të tij dhe deri sot, në këtë tempull janë diplomuar shumë breza dhe kanë dhënë ndihmesën e vet në të, shumë prej intelektualëve më të mirë të vendit dhe padiskutim edhe të rajonit tonë.
Sot këta breza janë ata që drejtojnë, janë mësuesit, ekonomistët, infermierët, menaxherët etj.që po i japin rajonit dijen e tyre dhe po drejtojnë fusha të ndryshme të jetës. Ndikimi i këtij institucioni ka ardhur duke u rritur dhe  kjo padyshim përbën një vlerë për të, por rëndësia e tij rritet me ndikimin që duhe të ketë si një institucion udhërrfyes për çështje të ndryshme të zhvillimit të rajonit, gjë e cila ende ka shumë rrugë dhe punë për t'u arritur.
Sot duhet të ndajmë së bashku urimin, për të gjithë ata që patën vizionin dhe dëshirën për t'i dhënë Korçës si qytet dhe gjithë rajonit mundësinë të përfaqësohet me këtë universitet; duhet të ndajmë urimin dhe mirënjohjen për pedagogët dhe profesorët e vërtetë të këtij institucioni që kanë lënë gjurmë në qytetarinë korçare,sot ndaj urimin me pedagogët dhe studentët aktualë, për t'u bërë pjesë e elitës që duhet të hapë shtigjet e dijes.

Ju e filloni këtë vit të ri akademik me një lajm të gëzueshëm..
Akreditimin për herë të parë për cilësinë akademike të Universitetit "F.S.Noli"
Ndaj, do të dëshiroja që përmes këtij urimi të veçantë për këtë universitet të shpreh dëshirën që sa më shpejt, ky institucion të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit rajonal dhe tempulli i elitës intelektuale".
PUNË TË MBARË!