KONFERENCË SHKENCORE "NJËQIND VJET NGA VETËQEVERIMI I KORÇËS"



Konferenca " 100 vjet vetqeverisja e Korçës" nën organizimin Universtitetit Fan . S. Noli , Akademia e Shkencave , Qendra e Studimeve Albanologjike si dhe në mbështetjen e Këshillit të Korçë solli bashkë studiues të vendit dhe të huaj , të cilët me kumtesat e tyre mbështetën fakte të pa kundërshtueshme të historisë të Krahinës Autonome të Korçës .   Fjala përshëndetëse e kryetares së Këshillit të Qarkut Korçë znj.Ana Verushi për këtë konferencë:

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë, akademikë, profesorë, studiues, pedagogë, studentë, miq nga institucione shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë,
Të nderuar përfaqësues të qeverisjes vendore, të institucioneve fetare
Të nderuar ambasadorë
I nderuar z. Niko Peleshi, zëvendëskryeministër

Kur ngritëm grupin e punës për organizimin e veprimtarive me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës, më kryesorja ishte dhe organizimi i kësaj konference, ndaj dhe ajo u mbështet seriozisht nga Këshilli  i Qarkut, si një veprimtari e përbashkët e disa institucioneve të rëndësishme shkencore, si Akademia e Shkencave, Universiteti i Korçës, Qendra e Studimeve Albanologjike, por dhe me pjesëmarrjen edhe të institucioneve të tjera shkencore.
Ne e mbështetëm këtë veprimtari, duke besuar se kjo konferencë do të trajtojë në mënyrë shkencore rrethanat historike, politike e diplomatike që bënë të mundur bashkëpunimin shqiptaro-frëng, sipas Protokollit të datës 10 dhjetor 1916, që çoi në shpalljen e vetëqeverimit të krahinës së Korçës dhe mbrojtjen e saj, duke patur në vëmendje të kumtuesve sfidat nëpër të cilat kaloi lëvizja kombëtare shqiptare në trevën e Korçës në vitet 1916-1920; si dhe rolin e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm në këtë proces etj.
Studiuesit e kësaj periudhe historike kanë vënë ne dukje se Shpallja e autonomisë së krahinës së Korçës është ngjarja më e madhe në historinë e Shqipërisë, prej Shpalljes së Pavarësisë deri në Kongresin e Lushnjes (1920). Dhe kjo është e vërteta historike, sepse,
pas dy luftërave ballkanike dhe përgjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, shteti kombëtar shqiptar, i njohur ndërkombëtarisht më 1913, u gjend para rrezikut të zhbërjes dhe u përball me presione, ndërhyrje politike dhe ushtarake të shteteve fqinje, duke e shndërruar mbijetesën e vet në një çështje të pasigurtë. Shpallja e autonomisë së krahinës së Korçës ishte ndër  aktet konkrete që u bënë barrierë kundër shpërbërjes së Shqipërisë.
Siç dihet nga të gjithë, historiografia shqiptare dhe studiues të huaj, kanë bërë kërkime dhe botime të rëndësishme për sa i përket trajtimit të problemeve që lidhen me këtë temë dhe për ecurinë e çështjes kombëtare shqiptare në periudhën nga Shpallja e Pavarësisë, deri tek imponimi i njohjes së saj (1920), por jam e bundur se konferenca e sotme do të krijojë mundësi për të paraqitur kontribute të reja shkencore, për të bërë analiza të  rëndësishme, për të sjellë fakte dhe  argumente, duke pasuruar edhe qëndrimet kritike ndaj trajtimeve të mëparshme.
    Duke e parë këtë ngjarje historike nga lartësia e njëqind vjetëve, Shpallja e Krahinës Autonome të Korçës bëhet edhe më domethënëse, sepse, megjithëse ajo pati jetë të shkurtër, mbetën të patundura tri shtylla të rëndësishme që ajo nguli fort: flamuri shqiptar, shkolla në gjuhën shqipe dhe shqipja si gjuhë zyrtare në administratën e asaj kohe.
    Duke përfunduar, në emër të Këshillit të Qarkut falënderoj kumtuesit që do të referojnë në këtë konferencë, duke e çmuar lart kontributin e tyre, si dhe të ftuarit e tjerë që u bënë pjesë e kësaj ngjarjeje.
    Faleminderit!